Kinezëve me COVID të lehtë u kërkohet të shkojnë në punë

Pekin - Disa qeveri vendore në Kinë i inkurajuan njerëzit me raste të buta të COVID-19 që të shkojnë në punë këtë javë, një shenjë tjetër e vështirësisë me të cilën përballet vendi ndërkohë që lehtësimi i masave të kontrollit të virusit shkaktoi një valë infeksionesh - dhe një numër në rritje të vdekjeve.

Autoritetet shëndetësore raportuan të martën se pesë persona vdiqën në periudhën e fundit 24-orëshe, të gjitha rastet në Pekin, duke nxitur shqetësimin se numri mund të rritet ndjeshëm pas heqjes së shumicës së kufizimeve të politikës "zero-COVID".

Numri zyrtar ka të ngjarë të jetë më poshtë numrit aktual dhe është e paqartë se si do të ecë përhapja e virusit në Kinë dhe nëse sistemi i kujdesit shëndetësor mund të përballojë një rritje të rasteve në mbarë vendin.

Qyteti i Guiyang në provincën jugore Guizhou propozoi që njerëzit e infektuar me pak ose aspak simptoma të shkojnë në punë në një sërë sektorësh, duke përfshirë zyrat qeveritare, kompanitë shtetërore, punonjësit mjekësorë, shëndetësorë dhe të urgjencës dhe ata për dërgesa të shpejta dhe supermarkete.

Ky është një ndryshim i ri nga vetëm disa javë më parë, kur politika e Kinës ishte të izolonte cilindo që ishte infektuar, në një spital ose në një strukturë të drejtuar nga qeveria. Njoftimi të martën pasoi të tjerë të ngjashëm në qytetet Wuhu dhe Chongqing në fillim të kësaj jave. Lëvizjet duket se janë për shkak të mungesës së punonjësve që ka ndikuar në kujdesin mjekësor dhe dërgesat e ushqimit.