SYRI TV/ Saga e rindërtimit: Dimri i tretë pa strehë në familjen Nikolla
Saga e rindërtimit vijon të jetë një dramë për mijëra familje të prekura nga tërmeti. E tillë është historia e familjes Nikolla në fshatin Patalej të Lezhës. Banesa u dëmtua nga tërmeti, por prej tre vjetësh shteti nuk ia rindërton, ndërsa familja është detyruar të përdor si strehë banesën që rrezikon të bjerë nga çasti në çast
SYRI TV
Festat e fundvitit po i gjejnë ende të pasistemuara shumë prej familjeve në Lezhë, të cilat humbën shtëpitë e tyre si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019.
E tillë është historia e familjes Nikolla në fshatin Patalej në Lezhë. Kryefamiljarja Valdete Nikolla tregon mes lotësh, se po kalon dimrin e katërt pa strehë, ndërsa askush nuk i jep zgjidhje për rindërtimin e banesës, të cilën vijon ta përdorë ende duke rrezikuar jetën.
48-vjeçarja tregon gjithashtu, se sikur të mos mjaftojë mungesa e përgjigjes nga shteti për rindërtimin e banesës, fqinjët i kanë bllokuar dhe rrugën.
Nga ana tjetër, jashtë kamerave, zyrtarë të Njësisë Administrative Kolsh, thanë për Syri Televizion se procesi i rindërtimit për banesat individuale po vijon sipas një liste të përcaktuar, pjesë e së cilës është dhe shtëpia e familjes Nikolla. Por zyrtarët nuk japin afate se kur do t`i vijë radha rindërtimit të banesës së kësaj familjeje.