KAFE SHQETO/ Çepani: Ka një minimizim të problemit kur denoncohet dhuna në familje

E ftuar në Emisionin e Mëngjesit në 'Kafe Shqeto'në Syri Tv ishte juristja dhe aktivistja Edlira Cepani.

Çepani është shprehur se dhuna ndaj femra nuk ka marrë vëmendjen e duhur që të parandalohet dhe tu sigurojë mbështetje të duhur të dhunuarave.

"Ka një problematikë, nëse shoqëria shqiptare ka dështuar në diçka është dhuna në familje dhe me bazë gjinore, kjo është një fatkeqësi pasi në vitin 2022 femrat nuk gjejnë qetësi dhe mbrojtje.

Nëse gratë dhe vajzat nuk do të gjejnë qetësi as shoqëria nuk do të jetë e qetë.

Përsa i përket legjislacionit kjo edhe fale grave që janë në parlament ligjet janë përforcuar ndjeshëm edhe pse ka ende shumë për të përmirësuar, dua të them se jemi në një nivel pozitiv.

Problemi kryesor është kur ne zbresim nga pjesa e legjislacionit në pjesën e zbatimit të legjislacionit dhe këtu duket se ku çalon puna. Nëse ti ke prioritet diçka ti ose i cakton një buxhet të madh ose ja rrit nga viti në vit, fatkeqësisht ne nuk kemi pasur rritje por edhe një mungesë të theksuar të vëmendjes nga shteti.

Të gjitha agjencitë që ngrihen për të mbrojtur personat nga dhuna nuk kanë vëmendjen e duhur nga qeveria dhe ato nëse nuk kanë atë mbështetje nuk e arrijnë dot synimin që kanë.

Bashkia e Tiranës në 3 vite të fundit ka strehuar 10 gra të prekura nga dhuna, numër ky shumë i vogël pasi harxhohen miliona euro për shpenzime jo të domosdoshme dhe lihen rrugëve femrat e dhunuara."