Pedagogët kundër vendimit të fundit të Qeverisë: Jo privatizimit të universiteteve publike!

Sindikata e pedagogëve është ngritur sot sërish kundër një vendimi të muajit nëntor të Qeverisë, e cila ka vendosur të ndryshojë pozicionin juridik të universiteteve publike. 

Kreu i kësaj sindikate, Aleksandër Kovaçi, theksoi para mediave se "universitetet publike nuk kanë nevojë të ndryshojnë pozicionin e tyre juridik, sepse ato aktualisht nuk janë shpk, organizata fitimprurëse siç janë privatët. Ky lloj VKM-je do të ishte e denjë për privatët dhe do të ishte logjike", tha ai.

Në deklaratën që Kovaçi lexoi publikisht, thuhej:

Sindikata denoncon me forcë dhe me indinjatë të thellë, goditjen përmes VKM nr 741 dt. 23 nëntor 2022 "Për përcaktimin e procedurës së dokumentacionit për krijimin e institucioneve të arsimit të lartë publik të pavarur", që asgjeson rrënjësisht institucionet e arsimit të lartë publik.

Në vend të tyre kërkohet që nëpërmjet vlerësimit financiar të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të universiteteve të themelojë fondacion sipas kuadrit ligjor në fuqi për organizatat jofitimprurëse dhe njëherësh të emërtohen si institucione të arsimit të lartë publik të pavarura.

Ndërkohë, sipas nenit pesë të kësaj VKM-je, të gjithë pedagogët do të detyrohen të kalojnë në fazë të një kontratë njëvjeçare dhe fati i tyre mbetet në duart e pronarëve apo të drejtuesve të ardhshëm.

Gjithashtu, nuk mbetet gjë tjetër pas kësaj skeme që mund të zbatohet, vetëm shitja apo dhënia si PPP e institucioneve të arsimit të lartë publik, që mund të ishte një hap shumë i shpejtë në të ardhmen.

Në këtë situatë mendojmë që me këtë qëndrim qeveria shqiptare del kundër universiteteve publike me vendimin që merr për privatizimin të mirës publike, e cila vjen nga universitetet publike në këtë rast. Ftojmë botën universitare, studentë, stafin që të reagojnë me forcën e më të madhe kundër këtij vendimi fatal për  arsimin e lartë publik shqiptar," përfundoi deklarata.

I pyetur nga mediat se si do të vazhdohet më pas, Kovaçi tha: "Ne theksojmë që universitetet publike nuk kanë nevojë të ndryshojnë pozicionin e tyre juridik, sepse ata aktualisht nuk janë shpk, organizata fitimprurëse siç janë privatët. Ky lloj VKM-je do të ishte i denjë për privatët dhe do të ishte logjike.”