Arrestohet gruaja që hyri në shtëpinë e Robert De Niros në Nju Jork

Policia në qytetin e Nju Jorkut arrestoi një grua që hyri në shtëpinë e aktorit Robert De Niro, të hënën herët në mëngjes, sipas një burimi zyrtar. Gruaja nuk arriti të kishte kontakt me aktorin, pasi ai ndodhej në një kat tjetër, tha burimi.

E dyshuara është e njohur për Departamentin e Policisë së Nju Jorkut nga arrestimet e mëparshme dhe është një nga pesë hajdutët më të mëdhenj në zonë, tha burimi.

30-vjeçarja Shanice Aviles u arrestua të hënën në lidhje me vjedhjen. Ajo ishte arrestuar edhe dy herë të tjera këtë muaj për akuza të ndryshme për vjedhje në Nju Jork, tha një burim i zbatimit të ligjit për CNN.

Oficerët  panë gruan duke ecur në një rrugë në Upper East Side të Manhatanit në mëngjes të hënën, duke provuar dyer të ndryshme të ndërtesave tregtare përpara se të hynte në një derë të një ndërtese banimi. Ata e ndoqën dhe e arrestuan në katin e parë, tha burimi.

Ishte ora rreth 2:45 e mëngjesit kur oficerët e kapën 30-vjeçaren brenda rezidencës ndërsa po përpiqej të vidhte ndër të tjera edhe dhurata të Krishtlindjes dhe një iPad.

Dera e bodrumit të rezidencës kishte shenja të hyrjes me forcë. Gruaja u dërgua në paraburgim. Zëdhënësi nuk konfirmoi se kush e zotëronte shtëpinë.