Tenderi 10 mln euro: Dora e Zotos në katastrofën mjedisore të Vlorës

Vlora po përballet me një katastrofe mjedisore për shkak të  keqmenaxhimit të mbetjeve. Edhe pse Rama premtoi se landfilli i Sheristes do të ishte gati brenda dhjetorit të vitit 2021, 1 vit nga ky afat dhe landfilli ende nuk është gati. Për ndërtimin e vend-depozitimit të ri të mbetjeve në Vlorë, Rama i dha kompanisë së Klodian Zotës, tender 10 mln euro, por qytetarët ende nuk kanë marrë shërbimin e paguar nga taksat e tyre

SYRI TV

Kryeministri Edi Rama u premtoi qytetarëve vlonjatë se brenda dhjetorit të vitit 2021 do të kishin gati landfillin e ri të Sheristës, i cili do të shpëtonte banorët nga ndotja e thellë mjedisore.

Por, kur ka kaluar më shumë se një vit nga ky afat, landfilli i ri ende nuk është përfunduar. Ndërkohë që Vlora është gdhirë nën një katastrofë mjedisore mëngjesin e të martës, ku një tym i zi nga djegia e mbeturina ka pushtuar të gjithë qytetin. Projekti për landfillin e ri është shtyrë shumë në kohë, ashtu siç ka ndodhur me çdo investim të marrë përsipër nga biznesmeni kontrovers, Klodian Zoto.

Kompania e tij, “Integrated Technology Service” dhe një tjetër italiane fituan në qershor të vitit 2020 një tender me vlerë 10 milionë euro për ndërtimin e vend-depozitimit të ri të mbetjeve në Vlorë. Tenderi është financuar nga një kredi që qeveria shqiptare ka marrë nga Banka Gjermane KFV. Procedurat e tenderit u mbajtën sekret dhe deri më tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nga qeveria mbi pjesëmarrësit në atë tender dhe se si u shpall fitues shoqëria mëmë e Zotos.

Referuar kushteve të kontratës, investimi do të duhej të përfundonte brenda një viti nga nisja e punimeve. Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane ka nisur pagesat për ndërtimin e landfillit të Sheristës në korrik të vitit 2019. Kjo periudhë shënon edhe nisjen e punimeve dhe afateve për përfundimin e veprës.

Por, ndërkohë që qeveria, deri më tani, ka paguar miliona euro, landfilli i Sherishtës vijon të jetë në fazë ndërtimi. Pronari kryesor i kompanisë ndërtuese, Klodian Zoto, është në kërkim prej më shumë se një viti, pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit.

Por, pavarësisht se është në kërkim, Zoto ka marrë miliona nga qeveria shqiptare për kontratat e tij. Pagesa më e fundit që ka përfituar kompania e tij për ndërtimin e landfillit të Vlorës është kryer në nëntor të këtij viti.