Dosja e spiunazhit/ Rusët filmuan repartin RENEA dhe vilat qeveritare

Përfundon ekspertiza e pajisjeve të gjetura dhe sekuestruara dy shtetasve rusë dhe një ukrainas, të arrestuar për spiunazh.

Krahas materialeve që u zbërthyen përmes tyre, të regjistrimeve dhe zonave të ndryshme që kishin vizituar, rezultuan gjatë ekspertizës me orë të tëra regjistrime të repartit RENEA dhe vilave qeveritare, të cilat janë disa nga gjetjet në aparaturat e shtetasve rus, që u arrestuan për spiunazh disa kohë më parë pas incidentit në uzinën ushtarake në Gramsh.

Një pjesë e konsiderueshme e pamjeve rezultojnë të regjistruara me dron, ndërsa deri në këtë fazë të hetimit, nuk bëhet me dije nëse ka pasur ngritje të ndonjë shqetësimi sa i përket konstatimit ose jo të dronit në zonat përkatëse.

Bëhet fjalë për ukrainasin Fedir Alpatov dhe dy rusët Svetlana Timofeeva, Mikhail Zorin, ndaj të cilëve janë ngritur të paktën 3 akuza nga Prokuroria e Elbasanit.

Tre të akuzuarit u shprehën para gjykatës se janë fotograf dhe nuk kanë lidhje me spiunazhin duke vijuar betejën për pafajësi në hallkat e gjyqësorit në vendin tonë.

Organi i akuzës pretendon se disponon materiale të rëndësishme me informacione të klasifikuara, bazuar edhe në dëshmitë që të arrestuarit që kanë dhënë në prokurori në lidhje me misionin e tyre të spiunazhit.

Në dosjen hetimore thuhet se këta shtetas ka dyshime të arsyeshme të jenë rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse dhe kishin një mision. Më herët në aparatet e tyre fotografike dhe celulare, janë gjetur pamje filmike të zonave dhe objekteve të sigurisë së lartë dhe kritike në vend.