Baton Haxhiu: Armiqtë e Ramës janë SPAK-u dhe ndërkombëtarët
Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin Çim Peka LIVE mbrëmjen e kaluar, i pyetur nga moderatori Çim Peka se çfarë e pret Edi Ramën në politikë, ai tha se beteja e tij e ardhshme do jetë me ndërkombëtarët.
“Nuk jam fallxhor për këtë punë. Unë mendoj se më këtë opozitë të dobët që është momentalisht, beteja e ardhshme e Ramës nuk është me opozitën, është me bashkësinë ndërkombëtare. Edhe pse duket se bashkësia ndërkombëtare është shumë afër tij, ata dinë me qenë të paparashikueshëm. Kjo betejë, besoj që do të shihet në këto tre vite”, tha Haxhiu, duke shtuar se aleat kryesor i Ramës në këto vite janë Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Ndërkohë, i pyetur se kush është armik i Ramës, ai tha se ai është SPAK.
“SPAK-u dhe një pjesë e ndërkombëtarëve, pasi realisht një pjesë e tyre nuk e duan një lider të fortë në një vend të vogël. Dhe Rama i ka tejkaluar përmasat e Shqipërisë, dhe njohjet e tij me liderët europianë janë tepër të forta,” tha Haxhiu.