Gjykata italiane miraton një ekstradim të lidhur me skandalin ‘Qatargate’ në PE

Një e dyshuar në lidhje me skandalin e madh të korrupsionit që tronditi parlamentin e Bashkimit Evropian duhet t'i dorëzohet Belgjikës. Kështu vendosi një gjykatë italiane.

Gjykata në qytetin e Brescia-s vendosi që Maria Dolores Colleoni mund të dërgohej në Belgjikë bazuar në një urdhër arresti evropian që e lidh atë me skandalin përmes bashkëshortit të saj, ish-ligjvënësit të BE-së, Pier Antonio Panzeri.

Gjykata e Brescia saktësoi se çdo dënim do të kryhej në Itali.

Ajo tha gjithashtu në vendimin e saj se një leje për arrest shtëpiak mund të bëhet përfundimisht edhe në Belgjikë, ku prokurorët po hetojnë planin e bërë  për të përhapur influencën e Katarit dhe Marokut.

Prokurori Giovanni Benelli e bëri publik vendimin pa dhënë detaje, por Maria Dolores Colleoni nuk ka gjasa të shkojë së shpejti në Belgjikë. Avokatët e saj mbrojtës kanë thënë se do ta çojnë në apel në gjykatën më të lartë të Italisë.

Panzeri dhe tre persona të tjerë u akuzuan më 9 dhjetor për korrupsion, pjesëmarrje në një grup kriminal dhe pastrim parash.

Prokurorët belgë po hetojnë nëse atyre "u janë paguar shuma të mëdha parash apo u janë ofruar dhurata të konsiderueshme për të ndikuar në vendimet e parlamentit".