Koreja e Veriut kërcënon të ndërmarrë hapa vendimtarë ushtarakë kundër Japonisë

Koreja e Veriut kërcënoi të martën se do të ndërmarrë "hapa të guximshëm dhe vendimtarë ushtarak" kundër Japonisë, kur e kritikoi miratimin nga Tokio të një strategjie të sigurisë kombëtare si përpjekje për ta kthyer vendin në një fuqi ushtarake agresive.

Deklarata e Koresë së Veriut erdhi katër ditë pasi Japonia shpalli një strategji sigurie që pasqyron vendosmërinë e saj për të zotëruar aftësi "kundërsulmuese" dhe për të dyfishuar shpenzimet ushtarake, për të krijuar një bazë më sulmuese kundër kërcënimeve nga Kina dhe Koreja e Veriut.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha në një deklaratë se shtytja e Japonisë për të fituar aftësi kundërsulmuese nuk ka të bëjë fare me vetëmbrojtje, por është një përpjekje e qartë për të fituar "aftësinë e sulmit parandalues, që synon të nisë sulme në territoret e vendeve të tjera".

“Përpjekja e marrë e Japonisë për të ngopur lakmitë e saj të zeza -- ndërtimi i aftësisë së saj pushtuese ushtarake me pretekstin e një ushtrimi legjitim të të drejtave të vetëmbrojtjes -- nuk mund të justifikohet dhe tolerohet," tha një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë në një deklaratë të përcjellë nga media shtetërore.

Deklarata akuzoi Shtetet e Bashkuara se po i mbështesin dhe i promovojnë ambiciet ushtarake japoneze dhe po minojnë paqen rajonale. Ajo thoshte se lëvizje të tilla të supozuara të SHBA-së, po e detyrojnë Korenë e Veriut të punojë shumë për të përfunduar planet e saj për të zhvilluar armë të reja strategjike për të penguar përpjekjet e armikut për të pushtuar Veriun.

Deklarata thoshte se Koreja e Veriut dëshiron të japë siguri se mund të ndërmarrë "hapa të guximshëm dhe vendimtarë ushtarakë" për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e saj kombëtare në vazhdën e kompleksitetit të sigurisë rajonale të shkaktuar nga strategjia japoneze e sigurisë.

“Vendi ynë do të vazhdojë të ndërmarrë veprime për të treguar se sa shumë jemi të shqetësuar dhe të pakënaqur me përpjekjen e padrejtë dhe lakmitare të Japonisë për të realizuar ambiciet e saj”, thuhet në deklaratë.

Ashtu si në disa vende të tjera aziatike, ndjenjat anti-japoneze janë ende të thella në Korenë e Veriut për shkak të mizorive të Japonisë gjatë kohës së luftës.

Gadishulli Korean ishte nën sundimin kolonial japonez nga 1910-1945 para se të ndahej në një Kore të Jugut kapitaliste, të mbështetur nga SHBA dhe në një Kore të Veriut socialiste, të mbështetur nga sovjetikët në fund të Luftës së Dytë Botërore në 1945.

Media shtetërore e Koresë së Veriut kritikon në mënyrë rutinore, mizoritë koloniale japoneze. Deklarata e saj të martën thoshte gjithashtu se Japonia i shkaktoi "mjerim dhe dhimbje të pamatshme popullit korean" gjatë sundimit kolonial.