Pse Sali Berisha e quan Baton Stanishiç? Baton Haxhiu rrëfen takimin me njeriun e Millosheviç 25 vjet më parë

Analisti Baton Haxhiu ka rrëfyer në Çim Peka Live takimin që ai ka zhvilluar në vitin 1997 me ish-kreun e shërbimit të fshehtë serb, Jovica Stanishiç. 

Në mjaft dalje publike, kryetari i PD, Sali Berisha i drejtohet Baton Haxhiut si Baton Stanishiç. 

E gjitha ka të bëjë me atë çfarë ka ndodhur 25 vjet më parë.

Një takim mes Baton Haxhiut dhe njeriut të besuar të Millosheviç, për fatet e Kosovës. 

Pjesë nga intervista

Pse ju akuzon Sali Berisha si Baton Stanishiç? A e ka takuar ndonjëherë ish-shefin e shërbimit sekret serb në kohën e Millosheviç, Stanishiç?
Baton Haxhiu:
Po e kam takuar në vitin 1997. Kemi bërë dialog dhe është një prej takimeve më mbresëlënëse politike dhe më të guximshme dhe është një prej mburrjeve më të mëdha në jetën time. 

Çim Peka: Për dy vjet rresht ka drejtuar masakra kundër shqiptarëvbe të Kosovës. Çfarë ju lidh ju me atë?
Baton Haxhiu:
Nuk kam qenë vetëm në atë takim. Akuzat bien mbi mua. Por është takimi i cili realisht ka ndodhur pas demonstratave të 1997. Ka qenë një takim për luftën dhe paqen. Kur kemi shkuar në takim kemi propozuar se çfarë duhet të jetë e ardhmja e Kosovës. Ne në vitin 1997 kemi kërkuar republikën e pavarurtë Kosovës brenda Jugosllavisë. Pastaj të jepej mundësia për të ikur. E dinim që duke qenë Mali i Zi do të ishte shumë e vështirë shkëputja dhe pavarësia. Ndërkombëtarët nuk flisnin fare atëherë për pavarësi, përveç Ibrahim Rugovës. Ai ka thënë që, nëse ju kërkoni këtë, ne shkojmë në luftë. Ai përmendi për herë të parë planin ushtarak Patkoi. Tha për 24 orë mund t'ju largojmë nga Kosova. Pastaj përgjigjja ishte: Ka zot, mbi zot, në gjuhën serbo-kroate. Dhe unë kam thënë që bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë një gjenocid si në Bosnje. Ai në fund të takimit tha rreth Millosheviçit ka shumë nacionalistë dhe besoj se do të jeni ju ata që do të vuani shumë. unë nga ky takim do të shkoj me kokëdhimbje, sepse sa e njoh Millosheviçin dhe njerëzit e tij, kjo do të thotë të shkojmë në luftë. 

Çim Peka: Takimi është bërë në Kosovë?
Baton Haxhiu
: Po, në Kosovë. Na tha, 'a do vini të takoni Millosheviçin', dhe iu përgjigjëm 'jo, në asnjë mënyrë'. Në Kosovë kanë jetuar mbi 200 mijë serbë dhe Prishtina ka patur 45 mijë. Dhe natyrshëm ne i kemi njohur serbët. Ne e kemi ditur që ata punojnë për Serbinë dhe kurrë për Kosovën. Kemi bashkëjetuar me ta afër, por kemi qenë të kujdesshëm. Dhe takimi me njeriun më të fortë të asaj kohe ka qenë se ai ka patur një rol të jashtëzakonshëm në Bosnje. Stanishiç ka liruar pengjet ushtarake të zënë rob, amerikanë dhe...

Çim Peka: Është gjallë Stanishiç?
Baton Haxhiu:
Po, është në burg. Në Hagë. 

Çim: Nga sa po më thoni vetëm ju dhe Stanishiç jeni gjallë...
Baton Haxhiu:
Jo, janë dhe besoj ato truprojat që kanë qenë, pala serbe. Është edhe një që është gjallë, por ai e ka takuar veçmas. Qëndrimi jonë ka qenë më burrërori, më i guximshmi i kohës. 

Çim Peka: Është Stanishiç kriminel?
Baton Haxhiu
: Natyrisht. Më vonë e kemi mësuar gjatë gjykimit në Hagë, kur i kam lexuar dosjet për t'u ballafaquar me Millosheviç, ai ka qenë njeri i afërt me shefin Europian të CIA-s. Por megjithatë, nga mënyra si ka udhëhequr berretat e kuqe dhe të gjelbra, është një prej njerëzve që ka patur një grup të pamëshirshëm në ndërtimin e krimeve. 

Çim Peka: Ishte i lidhur me CIA-n?
Baton Haxhiu:
Dokumenti zyrtar thotë po. Kur kemi lexuar dokumentacionin, gjatë kohës kur kemi dëshmuar kundër Millosheviçit ka dalë që ai ka patur bashkëpunim me ta. 

Çim Peka: Lini të kuptohet se CIA të përdor dhe në fund të shet...
Baton Haxhiu:
Nga ajo që unë kam parë, ata e kanë mbrojtur. Përndryshe ai do të dënohej si të gjithë të tjerët me mbi 20 vjet burg.