SYRI TV/ Maliq, banorët: Kemi probleme me ngrohjen këtë vit, drutë u dyfishuan
Shumë banorë të Maliqit nuk kanë siguruar ende dru për zjarr, ndonëse dimri është në kulmin e tij. Ata shprehen se nuk arrijnë dot të blejnë dru për shkak të shtrenjtimit të tyre dhe krizës ekonomike. Ndërsa banorë të tjerë po blejnë drurë të mollëve që kanë prerë fermerët, pasi ato janë më të lirat në treg.
Nga SYRI TV
Teksa dimri ka sjellë ulje të temperaturave, në rajonin e Juglindjes jo të gjithë banorët kanë siguruar lëndë drusore për zjarr.
Kriza ekonomike që ka prekur familjet shqiptare dhe rritja e çmimit të druve, ka bërë që shumë banorë të Maliqit, këtë dimër ta kalojnë pa ngrohje.
Të tjerët, thonë se kanë siguruar lëndë drusore nga mollët që po presin fermerët, pasi sipas tyre vetëm ato janë më të lirat në treg, të cilat i gjen me 40 mijë lekë për metër kub, ndërsa të tjerat, janë dyfish më shtrenjtë.
Rreth 1 muaj më parë, përfaqësues të disa fshatrave në Maliq protestuan për mungesën e lëndës drusore dhe rritjen e çmimit, duke kërkuar zgjidhje nga bashkia. Por deri më tani, pushteti lokal nuk ka marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë banorëve.