FOTO/ Ky është Kreshnik Çerçizaj, objektivi i atentatit mafioz në Athinë

Një ngjarje e rëndë tronditi Athinën mbrëmjen e kaluar.

Dy shqiptarë u vranë në mënyrë mafioze në një lokal në kulmin e popullimit, duke rrezikuar që tragjedia të ishte shumë më e madhe.

Viktimat janë 41-vjeçari Kreshnik Çerçizaj nga Vlora dhe Armando Ogranaja nga Berati.

Mediat greke shkruajnë se objektivi i këtij atentati mafioz ishte 41-vjeçari Çerçizaj, një personazh me precedentë penalë në Shqipëri dhe Greqi.

Ai ishte dënuar për kontrabandë, trafik drogë dhe vjedhje. Viktima u qëllua me disa plumba në kokë.

Mediat greke raportojnë se ai ishte liruar me kusht nga burgu, ndërkohë që autoritetet nuk i gjetën armë me vete.

Viktima e dytë është një 44-vjeçar shqiptar, i cili mendohet se ishte një dëm anësor. Ai u plagos në gjoks dhe stomak dhe humbi jetën më vonë.

Dyshohet se ai u vra vetëm pse ishte i ulur me shënjestrën.

Një plumb qorr goditi në këmbë edhe një grua 35-vjeçare, e cila ishte ulur me motrën e saj në tavolinën ngjitur.

Autoritetet besojnë se autori është vrasës profesionist, kurse krimi ka lidhje me larjen e hesapeve mes bandave.