Akulli i zi shkakton probleme në Gjermani ndërsa shtrëngon dimri
Berlin - Akulli i zi dhe shiu i ngrirë shkaktuan probleme në disa pjesë të Gjermanisë të hënën, pasi një ngrirje e gjatë ia la vendin motit më të butë dhe më të lagësht, me trenat që udhëtonin me shpejtësi të reduktuar, me anulime në aeroportin më të ngarkuar të vendit dhe një mori aksidentesh trafiku.
Shërbimi gjerman i motit paralajmëroi për përhapjen e akullit të zi në të gjithë vendin, përveçse në jug dhe perëndim.
Operatori kombëtar hekurudhor Deutsche Bahn tha se kishte ulur shpejtësinë maksimale të trenave të tij për shkak të shiut të ngrirë dhe akullit. Ai i paralajmëroi klientët në Tëitter që mund të kishin vonesa. Megjithatë, hoqi kufizimet në mes të mëngjesit.
Akulli i zi, i quajtur ndonjëherë akull i pastër, është një shtresë e hollë e akullit me lustër mbi një sipërfaqe, veçanërisht në rrugë. Vetë akulli nuk është i zi, por vizualisht transparent, duke lejuar që rruga shpesh e zezë poshtë, të shihet përmes tij.
Aeroporti i Frankfurtit, më i ngarkuari në Gjermani, tha se 176 nga 1,100 nisjet dhe mbërritjet e planifikuara të ditës ishin anuluar që nga mëngjesi i së hënës, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve dpa. Njëra pistë u mbyll dhe numri i avionëve që mund të uleshin u zvogëlua, ndërsa ngrirja e avionëve gjithashtu po shkaktonte vonesa.
Shkollat u mbyllën plotësisht ose pjesërisht në pjesë të Gjermanisë veriperëndimore. Pati aksidente të shumta trafiku, duke përfshirë një në një autostradë midis Bremenit dhe Hanoverit, ku një 25-vjeçar humbi jetën kur makina e tij doli nga rruga.