Një tjetër i plagosur në masakrën me dy shqiptarë të vrarë, një burrë paraqitet në spital
Një tjetër person ka mbetur i plagosur në masakrën me dy të vrarë që ndodhi një natë më parë në Athinë. Mediat greke shkruajnë se një burrë është paraqitur i plagosur në spital, por jo me armë zjarri. Në panikun e ndodhur pas të shtënave të përsëritura, ai ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, është penguar dhe ka goditur kokën.
Pamjet tregojnë çfarë ka ngelur në lokalin ku shqiptarët po shikonin finalen e Kupës së Botës dhe brenda kishte dhjetëra njerëz.
Kreshnik Çerçizaj, 41-vjeçari nga Vlora dhe Armando Ogranjan 44 vjeç nga Berati janë dy shqiptarët që u vranë vetëm pak minuta pas përfundimit të finales së Kupës së Botës. Masakra ndodhi një natë më parë në Athinë.
Një person i veshur me të zeza dhe me maskë kirurgjikale u fut dhe hapi zjarr në një restorant të mbushur me klientë. Ai u afrua pranë tavolinës ku ndodheshin dy shqiptarë dhe i qëlloi me breshëri plumbash. Më pas u largua me vrap. Shkak për krimin e dyfishtë dyshohet të jenë bërë larjet e hesapeve. Nga të shtënat mbeti e plagosur dhe një 31-vjeçare greke.