Kërkoi të futet me video-mesazh në finalen e Kupës së Botës në Katar, Zelenskyy propozon samitin global të paqes në dimër
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka propozuar sot mbajtjen e një samiti global të paqes këtë dimër.
Këtë propozim Zelensky e ka bërë përmes një video-mesazhi që Kievi shpresonte se do të transmetohej përpara finales së Kupës së Botës të futbollit në Katar.
Deri tani, duket se nuk ka gjasa që FIFA ta lejojë mbajtjen e këtij video-mesazhi.
Të premten, u raportua se Zelensky i kishte kërkuar organit drejtues FIFA që ta linte të ndante një mesazh paqeje përpara finales.
“Ne i ofruam botës Formulën e Paqes. Absolutisht e drejtë. E ofruam sepse nuk ka kampionë në luftë, nuk mund të ketë barazim,” tha Zelenskyy.
“Unë shpall iniciativën për të mbajtur një Samit Global të Formulës së Paqes këtë dimër. Samiti për të bashkuar të gjitha kombet e botës rreth kauzës së paqes globale. Tribunat e stadiumeve zbrazen pas ndeshjes dhe pas luftës qytetet mbeten bosh.”, shtoi ai.
Zelenskyy kishte dashur të shfaqej përmes një lidhjeje me video-mesazh përpara se Argjentina të përballej me Francën në stadiumin Lusail të Dohas për finalen e Kupës së Botës.