Mbështeti protestat kundër regjimit, në pranga aktorja iraniane
Autoritetet iraniane arrestuan një nga aktoret më të famshme të vendit nën akuzën e përhapjes së lajmeve të rreme lidhur me protestat që kanë përfshirë vendin.
Agjencia shtetërore e lajmeve “IRNA” bëri të ditur se Taraneh Alidosti, e mirënjohur për interpretimin në filmin fitues të çmimit Oscar, “The Salesman”, u arrestua pasi bëri një postim në Instagram, ku shprehte solidaritetin me personin e parë që u ekzekutua në lidhje me demonstratat.
“IRNA” njoftoi gjithashtu se personazhe të tjera të botës iraniane të artit janë thirrur gjithashtu nga gjyqësori, për publikim të materialeve provokuese.
Sipas një raportimi në kanalin zyrtar në rrjetin “Telegram”, Alidosti u arrestua se nuk paraqiti asnjë provë të dokumentuar për pretendimet e saj.
Në postimin në Instagram, duke iu referuar personit të ekzekutuar, aktorja 38-vjeçare u shpreh: “Emri i tij ishte Mohsen Shekari. Çdo organizatë ndërkombëtare që sheh këtë masakër dhe nuk reagon është turp për njerëzimin”.