VIDEO-SYRI TV/ Moglica e 'pa shpresë', fshati ‘braktiset’ nga të rinjtë që emigrojnë

E ndodhur mes maleve dhe e braktisur ndër vite, Njësia Administrative e Moglicës duket sikur është kthyer për të jetuar të shkuarën. Nuk ka rrugë as shërbime për ata pak banorë të moshuar që kanë mbetur. Ndërkohë të rinjtë, pothuajse të gjithë janë larguar, disa drejt qyteteve të mëdha e shumica në emigrim.

Nga SYTI TV

Moglica që përbën edhe qendrën Administrative të 19 fshatrave në Bashkinë e Maliqit, si shumë fshatra të tjerë në vend, po njeh zbrazjen dhe braktisjen.

E ndodhur mes peisazheve të bukura malore në Juglindje të vendit, mungesa e rrugëve dhe shërbimeve e ka kthyer jetesën tejet të vështirë. Vitet e demokracisë, jo vetëm që nuk kanë sjellë asnjë zhvillim për Moglicën, por përkundrazi, qendra administrative po shkon drejt një kujtimi të dikurshëm.

Një e pesta e popullsisë është larguar dhe në fshat kanë mbetur vetëm të pamundurit që janë kryesisht moshë e tretë. Përveç largimeve masive, nuk ka as shërbime apo kushte të favorshme jetese. Por si është të jetosh në ditët e sotme në Moglicë?

Edhe administratori i Njësisë, Fetah Hoxha, nuk bën përjashtim nga ata pak banorë që i kanë mbetur në zonë. Edhe pse ai përpiqet të ruajë atë pak optimizëm për të ardhmen e zonës, rrugët e amortizuara dhe pa vënë dorë ndër vite në to, tregojnë një realitet të zymtë.

Pamjet dhe resurset natyrore të zonës janë të pamata, ndërsa nga autoritetet përveç mbështetjes së banorëve nuk është bërë asgjë qoftë edhe për promovimin e turizmit.