VIDEO-SYRI TV/ Hetimet për vrasjen e Edmond Papës, krijohet identikiti i autorit
Hetuesit kanë zbardhur identikitin e autorit të vrasjes së Edmond Papës të premten në Tiranë. Ai nuk e heq për asnjë çast kapuçin nga koka, por pamjet filmike të kamerave në zonë kanë dhënë material të vlefshme për hetimin. Burime i thanë SYRI TV se një pistë bindëse po dokumentohet, por shprehen të rezervuara, pasi i interesuari për vrasjen mund të mos e ketë kryer vetë apo përmes të afërmve të tij, krimin.
Nga SYRI TV
Hetuesit e departamentit kundër krimit në policinë e kryeqytetit bashkë me ato të komisariatit nr 2, kanë krijuar identikitin e autorit të ekzekutimit të Edmond Papës të premten në mbrëmje në Tiranë.
Burime nga grupi hetimor, bëjnë të ditur se autori ka qenë përgjatë gjithë kohës i maskuar, ka qenë e vështirë përshkrimi ekzakt i tiparëve që mund ti çonte tek një emër konkret. Por nga ana tjetër është dokumentuar me pamje filmike një pjesë e mirë e veprimeve të tij, apo lëvizjeve që ka kryer në afërsi të vendit të ngjarjes.
Ai shfaqet i veshur një xhup të zi me kapuç dhe pantallona të errëta ndërkohë kishte veshur atlete me gomë të bardhë. Autori për të cilin nuk përjashtohet pista të jetë edhe i porositur, rezulton me trup mesatar, rreth moshës 25-30 vjeç.
SYRI TV mëson se hetuesit kanë një pistë mjaft bindëse mbi shkaqet e krimit, por rezervohen të japin detaje pasi mundet që të interesuarit për vrasjen e Papës, mund të mos e kenë kryer vetë ekzekutimin. Vrasësi e ka mbajtur në vëzhgim objektivin, dhe dyshohet se ka ndjekur çdo lëvizje të tij, duke mos përjashtuar as mundësinë që të ketë patur edhe informator që e vinin në dijeni.
Ai ka qëlluar disa minuta pasi zbriti nga vila e vëllait pasditen e së premtes, në një lokal pranë ndërtesës, ku 49-vjeçari doli për të pirë kafe.
Papa ishte pronar i një hoteli në Sarandë. Dhe rezulton me precedent penal në fushën e narkotikeve, ku vite më parë ishte dënuar me 7 vite burg në Greqi.