Atentati në Tiranë, Softa: Krimi godet kudo dhe kurdo, Policia e Shtetit mbështet kriminelët

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, komentoi në edicionin e pasdites me Bled Markun në Syri Tv krimet në vend dhe drogën. Softa deklaroi se vrasja e djeshme ishte ndër të shumtat që ka ndodhur në Tiranë dhe në të gjithë vendin.

Eksperti theksoi se ngjarje e djeshme tregoi se krimi është prezent, godet dhe nuk pyet për momentin kur vendos për të bërë një ekzekutim. Sakaq, Softa u shpreh se qytetarët e kanë humbur besimin tek Policia e Shtetit.

"Armët janë në duart e popullatës. Konfliktet mes grupeve kriminale janë prezente. Jemi në një moment të rëndësishëm ku të gjithë janë të interesuar për rendin publik. Klimë goxha konfliktuale dhe goxha të skajshme midis krahëve të politikës kur ka një ndryshim, kur një drejtor i përgjithshëm është ndërruar dhe është i pesti drejtor në 8 vjet, kur Policia nga sot ka bërë disa ndryshime të strukturave dhe pritshmëritë e publikut janë të mëdha dhe vijnë dhe zbehen derisa njerëzit kanë humbur besimin dhe një pjesë e madhe janë larguar nga vendi."-tha Softa.

Sipas ekspertit të sigurisë, Policia e Shtetit duhet të ndërrojë metodologjinë ndërsa shtoi se ka mjaft ende ngjarje kriminale të pazbardhura.

"Jo sepse nuk i ka kapacitetet policia, por se ka ndërthurje interesash. Këta njerëz kanë qarkulluar dhe qarkullojnë të mbuluar nga uniformat e policisë, nga njerëz që janë edhe me pushtet politik."-tha Softa.