Vazhdon tensioni në Veri, Policia e Kosovës: Gjatë natës u vu edhe një barrikadë tjetër
Policia e Kosovës njoftoi mesditën e sotme, më 17 dhjetor 2022, se tensionet në veri të vendit mbeten për shkak të vendosjes së barrikadave dhe se gjatë natës madje është shtuar edhe një barrikadë e re.
Në njoftimin zyrtar thuhet: "Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.
Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave.
Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit. Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues po angazhohet në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit."
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, tha në një shënim në Fb se "çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t'i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat."