SYRI TV/ Fshati Perondi i harruar, banorët: Nuk ka infrastrukturë, kryebashkiakun s’e njohim fare

Fshati Perondi në Kuçovë është harruar totalisht nga pushteti vendor. Banorët e paktë që kanë mbetur, pohojnë se bashkëjetojnë me plehrat dhe baltën. Ndërkohë edhe pse janë ankuar prej vitesh situate ka mbetur e njëjtë

SYRI TV

Edhe pse ndodhet vetëm 5 kilometra larg qendrës së qytetit të Kuçovës,fshati Perondi është lënë në harresë totale nga pushteti vendor.

Dikur një nga tre ish-komunat më të mëdha në Kuçovë për nga numri i banorëve, sot nuk ka asnjë investim në të paktën 20 vitet e fundit.

Kjo ka bërë që banorët të largohen, ndërsa ata pak që jetojnë aty të mos kenë më shpresë për rehabilitim e po ashtu edhe për problematikën e mbetjeve urbane, pasi kërkesat kanë rënë në vesh të shurdhër.

Situata paraqitet më problematike gjatë stinës së dimrit, ku vetëm pas disa minutave shi rrugët bllokohen dhe banorët e kanë të pamundur qarkullimin si këmbësore edhe si me automjete për shkak të gropave.