Fëmija 1-vjeçar infektohet me HIV në spitalin e QSUT/ Prindërit e vogëlushit kërkojnë drejtësi

Prindërit e një fëmije 1 vjeç kanë denoncuar në News 24, se i vogli i tyre është infektuar me HIV në spitalin e QSUT.

Edhe pse kjo është konfirmuar nga dy vende me standarde të larta shëndetësore, si Gjermania dhe Italia, shteti shqiptar, ende nuk është në gjendje për të treguar se ku është infektuar fëmija. Prindërit e djalit janë negativë nga HIV-i, e kjo sipas tyre vërteton faktin që djali është infektuar në qendrën më të madhe spitalore në vend. Fillimisht ata e kanë referuar çështjen në Ministrinë e Shëndetësisë, më pas në kryeministri, por nuk morën asnjë përgjigje.

Në këto kushte ata e kanë dërguar çështjen në duart e drejtësisë. Aktualisht, çështja do të vendoset në Gjykatën e Apelit.

Po çfarë parashikon ligji i shtetit shqiptar për rastet e personave që infektohen me virusin HIV?

Në ligj parashikohet që personi që është i infektuar me këtë virus përfiton barnat pa pagesë, kura të specializuara të mbuluara nga shteti e mbi të gjitha, të drejtën për analizat e detajuara nga vetë institucionet, por këto shërbime, nuk iu janë ofruar apo plotësuar dy prindërve të të miturit. Në një rast të ngjashëm nëse do të ndodhte në Itali dhe do të vërtetohej neglizhencë mjekësore, shteti italian jo vetëm do t’i ofronte kurat e nevojshme, por edhe një dëmshpërblim prej 3 mln eurosh.