Djali i Maradonës: Babai im është krenar për këta djem, atje lart

Diego Armando Maradona Sinagra lindi në shtator të vitit 1986, vetëm pak muaj pasi babai i tij pushtoi botën në Kupën e Botës në Meksikë. Ata kaluan vite pa pasur kontakte, por, në fazën e fundit të jetës së “yllit” argjentinas, patën një marrëdhënie të jashtëzakonshme. Ai është djali i madh mes pesë fëmijëve legjitimë që la Diego. Aktualisht, Diego Junior drejton një ekip në kategoritë e ulëta të Italisë, Napoli United.

Maradona Junior po e përjeton Kupën e Botës si të gjithë argjentinasit, pavarësisht se ai vazhdon të jetojë në Napoli, ku ka lindur: “Po e jetoj si i çmendur Botërorin, po i shikoj të gjitha ndeshjet, po i shikoj të gjitha lajmet… Dua të vendos “yllin” e tretë në gjoks se vërtet këta djem e meritojnë. Ata po bëjnë gjithçka për fanellën dhe shpresoj që të ndodhë”.

Kur pyetet për atë që do të ndiente babai i tij për këtë Botëror, Diego Junior nuk ka dyshime. “El Diez” e donte Kombëtaren e tij dhe do të vazhdojë ta dojë edhe nga parajsa.

“Unë jam plotësisht i bindur që babai im është krenar për mënyrën se si ata po mbrojnë fanellën dhe për dëshirën kanë. Babai im është krenar atje lart.”