Basha i përgjigjet Fleckensteinit: Ke të drejtë, Shqipëria është shumë më keq se Maqedonia

Duke folur në “çadrën e lirisë”, kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratave të bëra një ditë më parë nga komisionari Knut Fleckenstein.

Ky i fundit duke folur për gazetarët shqiptarë në Bruksel, u shpreh se Shqipëria nuk është në situatën e Maqedonisë dhe nuk ka nevojë për qeveri teknike.

Për këto deklarata kanë gjetur sot përgjigjen e kryedemokratit, Lulzim Basha. Ai tha se Fleckenstein ka të drejtë, sepse Shqipëria është shumë më keq se Maqedonia.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së:

Vettingu ndaj politikës mund të bëhet vetëm nga qytetarët dhe vetëm me votë të lirë. Ndaj jam i vendosur të qëndroj këtu si pengesë totale e kapjes së drejtësisë nga Edi Rama.

Komploti është zbuluar sepse bashkëkomplotistët e kryeministrit janë dekonspiruar dhe i pret gjykimi në institucionet ndërkombëtare.

Të pranojnë shqiptarët të shkojnë në zgjedhje me komandantin e hambareve të drogës për kryeministër, i cili i futi kriminelët në institucione dhe pengon dekriminalizimin për ti mbajtur ata në pushtet s’mund ta pranojmë.

Ndaj Knut Fleckenstein kishte të drejtë për diçka. S’ka të ngjashmëri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë sepse vendi ynë është shumë herë më keq. Ne kemi kërkuar vetëm të largohet si shenja minimale e përgjegjësisë së asaj që bëri me këtë vend. Largimi nga karrigia kryeministrore është kushti minimal.