Vrasja e biznesmenit/ Viktima përdorte dy mbiemra, erdhi në Tiranë për të vizituar nënën e sëmurë
Zbulohen detaje të reja në lidhje me vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, dje në zonën e Selitës, në Tiranë. Burime të besuara pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autori ka qenë i mirëinformuar për lëvizjet e 49-vjeçarit.
Kamerat e sigurisë të zonës dhe jashtë lokalit ku ndodhi vrasja kanë fiksuar momentet kur autori ka qëndruar për disa minuta në këmbë pranë pallatit ku banonte vëllai i 49-vjeçarit.
Pak minuta pasi ai ulet në lokal, autori futet i vetëm dhe e qëllon me 9 plumba pistolete të llojit Glok. Prej andej largohet sërish i vetëm në këmbë nëpër rrugicat e zonës.
Edmond Papa kishte ardhur mesditën e të premtes bashkë me nënën e tij nga Saranda në Tiranë për ta vizituar këtë të shtunë tek mjeku nënën e sëmurë.
Viktima kishte dy mbiemra dhe njihej gjithashtu si Edmond Hoxha. 49-vjeçari ishte me origjinë nga Fieri, por banonte prej vitesh në Sarandë ku dhe kishte shtrirë aktivitetin e tij në fushën e biznesit, kishte disa prona dhe biznese, mes tyre dhe hotelin e njohur Blu Sky.
Ndërkohë, familjarët kanë treguar në lidhje me të kaluarën e viktimës. Dëshmitë e tyre janë përqendruar tek dënimi me 7 vite burg i 49-vjeçarit Papa në Greqi ku ai është dënuar për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.