Franca dhe Maroku rregullojnë marrëdhëniet pas tensioneve të forta për vizat
Franca dhe Maroku njoftuan të premten se po i rregullonin marrëdhëniet midis tyre pas muajsh tensionesh mbi vizat dhe thanë se Presidenti Emmanuel Macron do ta vizitonte këtë mbretëri të Afrikës së Veriut në fillim të vitit 2023.
Duke folur nga Rabati së bashku me homologun e saj maroken, Nasser Bourita, Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna tha se ishte koha për të "shkruar një faqe të re së bashku".
Të dyja vendet kanë pasur mosmarrëveshje që nga shtatori i vitit 2021, kur Parisi përgjysmoi kuotën e vizave për marokenët si hakmarrje për refuzimin e pretenduar të mbretërisë për të riatdhesuar qytetarët që jetojnë si migrantë të parregullt në Francë.
Ky veprim ngjalli zemërim të gjerë publik në Marok dhe u etiketua si "i pajustifikuar" nga Rabat.
Por ministrja Colonna tha se vendet i ishin kthyer "bashkëpunimit të plotë konsullor" që nga e hëna.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin pritej të mbërrinte në vendin fqinj të Marokut dhe rivalin e tij, në Alegjeri, të premten për të diskutuar çështjen e ngjashme të vizave.
Macron dhe Mbreti Mohammed VI i Marokut folën me telefon të mërkurën mbrëma pas përplasjes dramatike gjysmëfinale të Kupës së Botës të vendeve të tyre në Katar, të cilën Franca e fitoi 2-0.
Të pyetur për çështjen e mprehtë të Saharasë Perëndimore, të dy ministrat minimizuan çdo tension.
Maroku e sheh rajonin në shkretëtirë si pjesë të territorit të tij, por lëvizja Polisario e mbështetur nga Algjeria kërkon një shtet të pavarur.
Mbreti Mohammed përsëriti në gusht se "çështja e Saharasë është prizmi përmes të cilit Maroku e sheh mjedisin e tij ndërkombëtar", duke kërkuar që qeveritë të "qartësojnë" pozicionin e tyre për këtë temë.
Por ministrja franceze Colonna tha të premten se mbretëria mund "ta llogarisë mbështetjen e Francës".
Ministri i Jashtëm maroken, Bourita shtoi se Maroku "kurrë nuk e kishte parë pozicionin e Francës (për Saharanë Perëndimore) si negativ".