Cafu: Finalja e Kupës së Botës? Bëj tifon për Messin dhe Argjentinën

Në mënyrë befasuese, një legjendë e futbollit brazilian bën tifo për Argjentinën në finalen e Kupës së Botës. Cafu, ish mbrojtësi historik që ka luajtur edhe për Milanin e Romën, deklaroi në përfundim të një eventi se mbështet Albicelesten e 7 herë fituesit të Topit të Artë Leo Messi, diçka e rrallë kjo duke njohur rivalitetin historik mes Brazilit dhe Argjentinës në futboll.

“Po, bëj tifo për Messin e automatikisht edhe për Argjentinën. Messi ka zhvilluar një kompeticion të madh. Argjentina humbi ndeshjen e parë dhe të gjithë nisën ta kritikonin. Pastaj papritmas, ai morri komandën dhe ju tha të gjithëve, “lëreni se e bëj unë”. Më pëlqejnë lojtarët e mëdhenj, ata që bëjnë diferencën dhe Messi është i tillë“-tha ai.

Nuk mund të mungonte natyrisht edhe një koment i vuajtur në lidhje me Brazilin e tij të eliminuar në çerekfinale përballë Kroacisë.

“4 minutat e fundit ishin e vetmja gjë negative. Një mungesë vëmendjeje çoi Brazilin jashtë Botërorit, dhe është vërtet një mëkat, pasi kishim lojtarë shumë të zotët, të rinj dhe ekspertë“-shtoi Cafu.