VIDEO/ Vrasja në Durrës, zbardhet ngjarja, policia: Vëllezërit Ekonomi e vranë me grushte

Zbardhet dhe dokumentohet vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Durrës. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se kanë ndaluar dy vëllezër për ngjarjen e ndodhur rreth orës 19:55 në lagjen numër 1 Durrës, Bulevardi "Epidam", në një dyqan ushqimor ka ndodhur një konflikt për motive të dobëta, ku është plagosur Agim Arapi 51 vjeç, banues në Durrës.

Ai është dërguar në spital, por ka ndërruar jetë.

Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje shkuan Efektivet e Policisë, të cilët pak minuta pas ngjarjes kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, konkretisht Kostandin Ekonomi 54 vjeç, banues në Durrës dhe Kujtim Ekonomi 50 vjeç, banues në Durrës. Të arrestuarit janë vëllezër me njëri-tjetrin.

Si ndodhi ngjarja?

Palët janë konfliktuar me njëri- tjetrin me sende të forta dhe për motive të dobëta (për një tub aspirimi). Autorët e arrestuar dhe Jurgen Kurti, i shoqëruar mbrëmë nga Efektivet e Policisë, I detyroheshin viktimës që ti paguanin një shumë parash, 13.000 lekë të reja për tubin e aspirimit.

Viktima i' a ka kërkuar shtetasit Jurgen Kurti paratë dhe në debat e sipër, kanë ardhur dhe janë përfshirë në konflikt edhe dy vëllezërit Ekonomi. Këto dy të fundit e kanë futur viktimën, shtetasin Agim Arapi brenda në dyqanin ushqimor dhe kanë mbyllur qepenin, ku aty më pas e kanë goditur me grushte.

Gjatë kësaj kohe Jurgen Kurti ka qenë jashtë dyqanit ushqimor (qepeni ishte i mbyllur dhe brenda ndodheshin viktima dhe autorët). Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një thikë.

Nga ekspertiza mjeko- ligjore u vërtetua se shtetasi Agim Arapi ka ndërruar jetë për shkak të problemeve që ka pasur me zemrën, ku nuk ka përballuar dot goditjet me grushte, të kryera nga autorët.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “vrasja me dashje” në bashkëpunim dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.