Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve.

Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve.

Krijimi i kësaj organizate mbrujti shpresën e një shteti riosh dhe të vogël si Shqipëria, për fillesat e një diplomacie shumëpalëshe, në sajë të së cilës u ridimensionua arena e marrëdhënieve ndërkombëtare. Qeveria shqiptare e konsideroi anëtarësimin në radhët e Lidhjes si garanci për një trajtim neutral të statusit dhe të kufijve të vendit në tryezat vendimarrëse të Fuqive të Mëdha.

Anëtarësimi u kërkua në emër të popullit shqiptar prej kryetarit të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, Pandeli Evangjeli, në një letër adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Eric Drummond (12 tetor 1920).

Duke nisur tetori e deri më 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Lidhje, përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë në Paris e Gjenevë, intensifikuan përpjekjet e tyre negociuese, të mbështetuar edhe nga figura të spikatura, sikurse ishte deputeti britanik Aubrey Herbert.

Mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të minoriteteve ishin në fokus të angazhimit të delegacionit shqiptar. Më poshtë, fragmente nga procesverbalet e mbledhjeve të Asamblesë së Parë dhe të Dytë të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, ku Fan Noli ishte përfaqësues i Shqipërisë.