Llabani: Altin Dumani u thirr në ambasadën e SHBA, mori garanci për drejtimin e SPAK

Gazetarja Anduena Llabani, komentoi në emisionin 'Çim Peka Live' në Syri Tv zgjedhjen e kreut të ri të SPAK Altin Dumani, dhe përplasjet Rama-Kim.

Anduena Llabani tha se ka pasur kandidatë që janë favorizuar nga pushteti dhe të favorizuar nga ambasada e SHBA.

Sipas saj, Dumani është thirrur në ambasadën amerikane dhe ka marrë një garanci për të ushtruar detyrën.

"Altin Dumani e ka paraqitur kandidaturën e tij ditën e fundit dhe orën e fundit. Paraqiti kërkesën për të qenë sërish kandidat, pas 3 vitesh.

Pse Dumani mori iniciativën për të qenë kandidat në këtë garë ku kandidonte Xholi. Dumani ka thënë se s'do kandidoj nëse Xholi do garonte për kreun e SPAK.

Dumani ka marrë një garanci, është thirrur në ambasadën amerikane, ka marrë një garanci për ta bërë këtë detyrë. Pse Dumani?

Ka njerëz në prokurori që e njohin, që thonë se është një individ, prokuror që përfaqëson akuzën drejtpërdrejt, njeri që nuk pyet për ngjyrime, hamendësime, njeri që bën punën dhe madje edhe sikur t'i thonë është familjari yt, zbaton ligjin.

Dumani është një nga individët, që edhe KLP e ka dëgjuar, ka patur një nga platformat më të mira nga konkurrentët e tjerë. S'është rastësi përzgjedhja e tij."-tha Llabani.