Trajkoviç nga Merdarja: Aleksandër Vuçiç je barbari më i madh në tokën e Ballkanit
Rada Trajkoviç e cila prej rreth 20 orësh mbahet nga policia serbe në pikëkalimin kufitar të Merdares po vazhdon ta “dokumentojë” secilin moment të qëndrimit të saj aty.
Ajo thotë se është ndaluar me urdhër të pushtetarëve në Beograd, ndërsa akuzon Vuçiçin si barbari më i madh në Ballkan.
“Nata po afron. Po bie shi. Është ftohtë. Ende jemi në punktin e Merdares. Asnjë shtetar në rajon nuk zbaton këso tortura mentale ndaj njerëzve që s’kanë mendime të njëjta politike. Ja në diçka ia dole të fitosh Aleksandar Vuçiç: je barbari më i madh antieuropian në tokën e Ballkanit”, ka shkruar Trajkoviç në postimin e fundit në Twitter.
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç është ndaluar prej ditës së djeshme në pikëkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Merdar.
Ajo tha se ishte duke shkuar në një takim me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hoovenier.
Kujtojmë se arsyeja pse ishte ndalur dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë, siç thotë ajo ishte pritja e një vendimi të marrë nga Beogradi se për të ka një urdhër ndalimi.
“I kam dorëzuar dokumentet, pritëm 10 minuta dhe më pas u nisa për t’i pyetur se për çfarë bëhet fjalë, për faktin se makinat e tjera kalonin krejt lirshëm… Ata thanë se po presin vendimin e Beogradit, dhe se për mua është ngritur një lloj ndalese apo duhet të më bëjnë një kontroll të veçantë dhe nuk po më japin dokumentet”, tha Trajkoviç.
Ajo pranoi se policia serbe i ka bërë një kontroll të detajuar makinës, duke analizuar çdo detaj.