VIDEO-SYRI TV/ Kush është Altin Dumani, kreu i ri i SPAK

Po kush është Altin Dumani? Materiali në vijim na njeh me profilin e drejtuesit të ri të SPAK që u përfol si prokurori që u lobua nga Ambasadorja Yuri Kim për të drejtuar këtë institucion.

Nga SYRI TV

Altin Dumani, kreu i ri i SPAK është një prokuror me karrierë të gjatë në prokurorinë Shqiptare. Së fundmi ai është pjesë e strukturës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërsa kaloi procesin e vetingut në vitin 2019 kur mbante detyrën e kreut të Apelit për Krimet e Rënda.

Procesi i tij i vetingut, ndryshe nga magjistratët e tjerë, nuk u ankimua dhe për këtë u dakordësua edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Nisja e karrierës së Altin Dumanit daton që prej vitit 1999 kur ai nisi punën si oficer i policisë gjyqësore ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës.

Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv/drejtuesit deri në vitin 2007.

Po në këtë vit, u transferua në Prokurorinë e Tiranës në pozicionin e zv/drejtuesit në sektorin e krimit ekonomik. Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 u komandua si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda.

Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie edhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.

Altin Dumani është pjesë e SPAK që prej krijimit të këtij institucioni.