Zgjedhja e kreut të SPAK, Rama humb qetësinë dhe sulmon mediat

Kryeministri Edi Rama është detyruar të bëjë një urim të vështirë për zgjedhjen e Altin Dumanit në krye të SPAK.

Urimin për Dumanin i cili fitoi garën me 5 vota pro të anëtarëve të KLP, një më shumë se Edvin Kondili, Rama ka zgjedhur ta bëjë shkurt me vetëm disa fjalë të thata nga fundi i postimit në Twitter.

Pjesën tjetër të reagimit kreu i qeverisë e ka mbushur me mllef kundër mediave të cilat sipas tij e mbushën vendin me thashetheme për kapjen politike të SPAK.  

Reagimi i Ramës
Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e s’kapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete!

Por ato që kryeministri i quan thashetheme të medias u artikuluan pak minuta para votimit nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. 

Ambasadorja amerikane teksa largohej nga KLP, ku ndoqi live seancën, bëri një deklaratë të fortë kur tha se anëtarët e KLP kishin marrë kërcënime dhe u ishin premtuar favore, kundrejt votës së tyre për një nga kandidatët. 

"Jemi me fat se kemi tre kandidatë shumë të kualifikuar që të tre, por përpara tyre kanë një vendim të vështirë. Baza e këtij vendimi duhet të jetë objektiv dhe ekzaminim i kritereve dhe kualifikimeve. Nuk duhet të bazohet nga perceptimi kërcënimi.  Kjo do thyente integritetin e atij procesi. Është e rëndësishme për kë do përzgjidhet, duhet ta kuptojë se është zgjedhur në bazë të kritereve, dhe jo në bazë të premtimeve për favore, apo kërcënime. Kushdo që të zgjidhet duhet të zgjidhet dhe duhet të marrë në konsideratë faktin se pronari i tij i vetëm është ligji. Sërish nuk ka ndonjë arsye tjetër të veçantë, erdha këtu sepse ma lejon agjenda ime. Do e ndjek po aq afër këtë proces sa edhe ju”, deklaroi Kim përpara gazetarëve.

Segmente pranë mazhorancës gjithnjë kanë këmbëngulur mbi preferencën e Edi Ramës për drejtuesin e ri të SPAK. Nga ana tjetër, ambasadorja e SHBA bëri disa herë thirrje për transparencën e procesit. 

E gjithë kjo situatë u reflektua si përplasje në distancë mes Ramës dhe Kim, aq sa Ministria e Jashtme e Olta Xhaçkës bëri një deklaratë të pazakontë, duke njoftuar nisjen e procedurave për largimin e ambasadores amerikane.  

***

Drejtuesi i ri i SPAK, Altin Dumani vjen në këtë deryrë pas një karrierë të gjatë.

Ai ka shërbyer si shef i Task Forcës anti-korrupsion në Prokurorinë e Tiranës 2007-2010 dhe më pas zv/drejtues i Prokurorisë së Krimeve të rënda dhe SPAK.