SYRI TV/ Përmirësohet situata në qarkun e Lezhës, disa rrugë e ura të dëmtuara në Tropojë
Nis tërheqjen uji nga zonat e Përmbytura në Lezhë, ndërsa vijon të jetë ende e rrezikuar ura e Zogut në Milot, këmbët e së cilës janë gërryer nga prurjet e ujit të lumit Mat. Probleme nga reshjet ka pasur edhe në Tropojë, ku në disa njësi administrative janë dëmtuar rrugë dhe ura.
Nga SYRI TV
Në qarkun e Lezhës ka pasur një përmirësim të situatës, pasi uji është tërhequr. Nga 620 ha tokë nën ujë që ishin një ditë më parë, tani janë rreth 340 ha.
Pas dëmtimit të këmbëve të urës së Zogut në Milot, ka reaguar shoqëria civile. Një grup aktivistësh, përfshirë avokatin Elton Laskaj, shkuan për të parë nga afër dëmtimin e urës, e cila është Monument Kulture, ku fajësuan strukturat shtetërore për dëmtimin e saj.
Probleme janë regjistruar në qarkun e Kukësit, kryesisht në bashkinë Tropojë. Në njësinë administrative Bytyç, janë dëmtuar nga reshjet: rruga e Shëngjergjit, një urë në fshatin Mash është e pakalueshme. Dy ura në lagjen Vlad janë të bllokuara.
Dëmtime urash dhe rrugësh ka pasur dhe në njësinë Llugaj, teksa një urë në fshatin Lug i Zi, është marrë tërësisht nga uji. Emergjencat civile në Kukës raportojnë se situata në rezervuare po mbahet nën monitorim, ndërsa deri më tani nuk ka probleme me energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm.