Rama-Ahmetaj, asgjë personale, thjesht biznes!

Dy gjëra janë të pafundme: universi dhe budallallëku njerëzor; dhe unë nuk jam i sigurt rreth universit. (Albert Ajnshtajn)

Kjo shprehje mu kujtua kur dëgjova kryeministrin e Shqipërisë, teksa përgjigjej në lidhje me përfshirjen e Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministër në aferën e djegësave se “nëse ne nisemi për një betejë dhe kemi qëllim të caktuar, dhe rrugës dikush ose disa këpusin dhe dardha e mollë për t'u futur në shportë pas shpinës time, punën nuk e kanë me mua por me drejtësinë”.

Që ta bëjmë më të qartë. Përgjigjet e kryeministrit prej hajduti të zënë gafil, nuk më habisin as dhe një grimë. Ajo që më habit është lukunia e leshkove që besojnë ende soj-soj dokrrash të sajuara aty për aty, siç është dhe kjo e fundit. Pra, që Arben Ahmetaj paska “këputur mollë e dardha” pa lejen e kryeministrit. Teorikisht dhe praktikisht kjo do ishte e pamundur dhe për një dhelpër të vjetër pushteti dhe abuzimi me fondet siç është Ahmetaj. Kjo sepse Edi Rama, pavarësisht paaftësisë së tij në qeverisje, dihet që është një maniak pushteti dhe e kontrollon atë në çdo qelizë qoftë dhe në rastet kur s’ka asnjë përfitim dhe jo më kur në lojë janë jo pak, por 430 milionë euro.

Përgjigja e Ramës dhe këtë herë ishte e ngjashme në mos e njëjtë me ato aksiomat mafioze kur janë prishur në pazar apo janë ndjerë të tradhtuar e vjedhur nga ortakët e tyre “nothing personal, just business” (asgjë personale, thjesht biznes). Për ta shpjeguar këtë, duhet që doemos të kthehemi në fillesat e ortakërisë së Ramës me Ahmetajn.

Duhet ta pranojmë se afera e djegësve ishte një ide gjeniale për të bërë para nga hiçi. Ideja fillestare ka qenë e Ahmetajt asokohe ministër i Ekonomisë dhe Financave. Plehrat janë një biznes që në shumë raste konsiderohen dhe më me leverdi se trafiku i kokainës. Fitohet në ndërtimin e tyre, siç ishte rasti i Fierit dhe Elbasanit, fitohet në përpunim 29 euro për ton që paguan bashkia, fitohet me monopolin e groposjes së mbetjeve të ngurta që paguajnë kompanitë e ndërtimit, fitohet në monopolin e mbetjeve të riciklueshme dhe shitjen e metaleve, plastikës, letrës etj, që paguajnë fabrikat. Besoj ju kujtohen policët bashkiakë në aksionet kundër fukarenjve, që me mbledhjen e materialeve të riciklueshme nxirrnin bukën e gojës. Pra, fitohet ku të mundesh dhe jo më kot në shumë vende të botës mbrapa kësaj industrie qëndrojnë grupet kriminale.

Rama e ricikloi Ahmetajn pikërisht se ia dinte aftësitë e tij hebraike në të bërit biznes dhe përfitimit nga taksat. E mbani mend, ai ishte avokati për çdo raport negativ të FMN, KLSH, BQE apo çdo organizmi tjetër evropian. Me fraza të pakuptimta dhe për profesorët e ekonomisë e fuste vjedhjen në një hulli nga ku nuk kishte perëndi që ta zbërthente kush. Tigri dinak, këtë lloj diskuri e kish përvetësuar jo pak nga Nano. Kjo që nga koha e Hermesit të famshëm, nga i cili përfitoi jo pak por 12 milionë euro si zëvendësministër.

Por çfarë ndodhi?

Pas ngritjes së skemës dhe sapo kishte filluar ndarja e fitimeve, Rama shmang nga skena Ahmetajn dhe vijon biznesin me partnerë të tjerë, jo aq ambiciozë sa ish-zëvendëskryeministri i tij. Për ta zbutur sadopak mërinë e Ahmetajt, në vitin 2019 ai e rikthen ministër të rindërtimit dhe më pas me daljen në skenë të Covid-it, Ahmetaj bëhet mbikëqyrës i fondeve dhe për çështjet e pandemisë. E megjithatë duket se as kjo nuk e qetësoi Ahmetajn që idenë e tij investimin e tij ia zaptuan të tjerët. U ndje i tradhtuar dhe nga Klodianët me njërin prej të cilëve për pak desh këputi zverkun në aksidentin në Maqedoni.

Të dhënat për mënyrën e vjedhjes dhe funksionimin e iceneratorëve po rridhnin mjaftueshëm sa në ato pak medie, të cilat ishin ende të pakapura nga Rama, sa nga opozita dhe gishti nën zë drejtohej nga Ahmetaj. Tek ai dyshonte i pari Rama dhe më pas e gjitha shpura e tij, qofshin këta hajdutë apo servilë të oborrit. I pari që do rrëzohej nga kupola ishte Lefter Koka. Natyrisht SPAK i kishte provat kohë më parë, por i duhej të priste mbarimin e zgjedhjeve. Bashkë me të dhe deputeti Bllako, që më shumë ishte viktimë e grykësisë së tij dhe ambicies të paanë për pushtet, dhe tashmë rruga e shpëtimit duket e vështirë edhe për Ahmetajn. Por kush mendon se ndokush nga këta do flasë gabohet...

Në Romën e lashtë, komplotistëve aristokratë kundër perandorisë i liheshin dy rrugë. Ose të dilnin në gjyq, përfundimi i të cilit dihej, dhe kjo shoqërohej me varje në litar, konfiskim pasurie, dhe shitje e të afërmve si skllevër, ose komplotisti të kyçte gojën dhe të gjente një mundësi për t’u larguar nga kjo botë pa bërë zë. Në këtë të dytën, garantohej që të afërmit dhe pasuria nuk i prekeshin, madje kujdesej vetë perandori që prosperonin.

Natyrisht, në kohërat moderne gjërat kanë ndryshuar. Sot kemi SPAK-un, gjithsesi haraçi për pasurinë e vënë duhet paguar disi. Ashtu sikundër Tahiri, i cili pranoi të bënte vetëm 3 vjet burg për shpërdorim detyre, sikur të ishte ndonjë roje objektesh që e kish zënë gjumi në vendroje, ashtu edhe Ahmetaj apo Koka duhet të zbatojnë kodin Omerta në rast se duan të gëzojnë ato që kanë.  Duket se në këtë histori i vetmi dëm kolateral do jetë Bllako, pasi për bashkëpunëtorët e ngushtë e Ramës është gati akuza për shpërdorim detyre. Dhe ashtu si në rastin e Tahirit dhe Kokës, edhe për Ahmetajn s’ka asgjë personale, është thjeshtë biznes. E sa për mollët e dardhat ta dijë dhe më militanti më i verbër, nga thesi i Ramës asgjë nuk merret pa leje.