VIDEO-SYRI TV/ Vrau ish-vjehrrin dhe ish-kunatin, arrestohet pas 4 muajsh Besnik Pjetri

Arrestohet Besnik Pjetri, katër muaj pasi vrau babanë dhe vëllanë e ish-bashkëshortes së tij në fshatin Grykë Zezë të Lezhës. Autori i krimit të rëndë ishte fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Kaçinar të Mirditës ndërsa u vu në pranga nga forcat RENEA. Në 29 gusht të këtij viti, Besnik Pjetri ekzekutoi Pjetër e Gent Përjakun, përkatësisht ish-vjehrrin dhe ish-kunatin e tij.

Nga SYRI TV

Vihet në pranga Besnik Pjetri, autori i vrasjes së vjehrrit dhe kunatit të tij në 29 gusht të këtij viti në fshatin Grykë Zezë të Lezhës. Besnik Pjetri u arrestua nga forcat RENEA në një banesë të braktisur në fshatin Kaçinar të Mirëditës, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen të babë e bir, Pjerin dhe Gent Përjakut.

Besnik Pjetri e ekzekutoi babanë dhe vëllanë e ish-bashkëshortes së tij, brenda banesës së tyre. Pjerin dhe Gent Përjaku ishin kthyer nga Italia, ku banonin prej vitesh dhe do të merrnin pjesë në një gëzim familjar. Por mbrëmjen e 29 gushtit, Besnik Pjetri shkoi në banesën e ish-babait dhe vëllait të bashkëshortes dhe hapi zjarr me breshëri automatiku, duke u marrë jetën.

Shkak i krimit të 29 gushtit dyshohet të jetë bërë divorci që Besnik Pjetri kishte pasur gjashtë vjet më parë me vajzën e familjes Përjaku.

Madje, vajza e familjes Përjaku, kishte denoncuar kohë më parë te autoritetet ligjore italiane ish-bashkëshortin për dhunë në familje.

Besnik Pjetri ishte arrestuar nga policia në Itali, teksa mësohet se për këtë vepër kishte vuajtur dhe dy vite dënim me burg.

Nga martesa me vajzën e familjes Përjaku, Besnik Pjetri kishte dy vajza, ndërkohë pas divorcit ai ka pasur vazhdimisht probleme dhe debate me ish-bashkëshorten.

Një nga shkaqet e konfliktit të vazhdueshëm dyshohet të jetë bërë çështja e ndarjes së pasurisë me ish-bashkëshorten.