SYRI TV/ Presioni i Ramës mbi Gjykatën Kushtetuese - Shoqata e Ndërtuesve tërheq padinë

Shoqata e Ndërtuesve tërhiqet nga Padia në Gjykatën Kushtetuese një ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmërojë anëtarët që të mos lajthisin e të pranojnë këtë padi. Sipas Shoqatës shkak i tërheqjes është bërë mos-ndjekja e procedurës së rregullt në këtë shoqatë, por dyshimet ngrihen se ndërtuesit u tërhoqën pas presioneve të kryeministrit

SYRI TV

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi Gjykatën Kushtetuese që të mos lajthisë e të pranojë ankimimin e Shoqatës së Ndërtuesve për VKM-në për ndërtimet pa leje, sot ka ardhur edhe reagimi i Shoqatës, duke njoftuar tërheqjen nga padia. Me një njoftim të shpërndarë për mediet, Shoqata e Ndërtuesve deklaron se tërheqja e padisë nga Gjykata Kushtetuese u bë për shkak se personat që bënë ankimimin nuk kishin ndjekur procedurën e rregullt të vendimarrjes së kësaj shoqate. 

Shoqata e Ndërtuesve: “Në lidhje me referencën e djeshme të kryeministrit për ankimimin e Shoqatës së Ndërtuesve në Gjykatën Kushtetuese, bëjmë me dije se vendimi i ankimimit është marrë pa ndjekur procedurën e rregullt që kemi. Prandaj edhe kemi kërkuar tërheqjen e këtij ankimimi dhe rifutjen e kësaj çështjeje në procedurën e rregullt të diskutimit dhe të vendimmarrjes sonë. Ajo çfarë ne kemi kërkuar vazhdimisht nga institucionet është që të respektohen të drejtat dhe liritë e biznesit, po kurrsesi të tolerohen abuzimet dhe paligjshmëritë.” 

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi Gjykatën Kushtetuese që të mos pranojë ankimimin e ndërtuesve, duke i diktuar kështu edhe vendim-marrjen. 

Edi Rama: “Shoqata e Ndërtuesve qenka ankuar në Gjykatën Kushtetuese pse po goditen rëndë pallatet me shkelje të lejeve të ndërtimit! Le të shkojnë edhe në Hagë ose në hënë po të duan, po pallatet me shkelje do të prishen ose do të konfiskohen për interes publik prandaj uroj që GJK të mos lajthisë”.

Një ditë pas presionit ndaj institucionit më të lartë të legjislacionit shqiptar, edhe vetë ankimuesit e vendimit të qeverisë, u tërhoqën  nga padia duke shtuar edhe më shumë misterin e ndikimit të qeverisë apo duke ngritur pikëpyetje se ky presion mund të mos ketë munguar as ndaj anëtarëve të Shoqatës.