Kreu i ri i SPAK/ Edi Rama e 'shkarkoi', Yuri Kim i shkon në kryeministri

Ambasadorja Yuri Kim ka vizituar kryeministrinë gjatë kohës që në Këshillin e Lartë të Prokurorisë prezantohen kandidaturat për drejtuesin e ri të SPAK-ut.

Vizita e Yuri Kim në kryeministri ndodh ndërsa në Polin e Drejtësisë, pritet të zgjidhet kreu i ri i SPAK, ku në garë janë 3 kandidatë.

Por Kim tha se vizita nuk ka lidhje me zhvillimet në KLP.

“Faleminderit kryeministrit Edi Rama, ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Shefit të Mbrojtjes Gjeneral Kingji për një takim produktiv këtë mëngjes për të shqyrtuar progresin historik, për të forcuar bashkëpunimin në mbrojtje. 2022 shënon vitin e pranisë së parë të qëndrueshme ushtarake në Shqipëri. Ne mezi presim të punojmë ngushtë me të në 2023 për të siguruar që mbështetja për trajnime dhe pajisje plotëson nevojat si dhe kërkesat e aftësive dhe ndërveprueshmërisë së NATO-s. Gjithashtu mezi presim “DefenderEurope2023”. Jemi krenarë që jemi gjithmonë krah për krah”, u shpreh ajo.

Pak ditë më parë, Ministria e Jashtme njoftoi se kanë nisur procedurat e zëvendësimit të ambasadores Kim pasi i ka përfunduar mandati, ndërkohë që diplomatja konfirmoi se do të qëndrojë pak më gjatë në vendin tonë.

Ambasadorja Kim dhe kryeministri Rama u takuan më herët gjatë kësaj jave ku diskutuan dhe për 100 vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zgjidhet mes tre prokurorëve: Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Altin Dumani dhe Edvin Kondili hyjnë në këtë garë për herë të dytë, pasi tre vite më parë ishin konkurrentët kryesor të Arben Krajës, por që nuk ia dolën.