Protestat vdekjeprurëse vazhdojnë të tronditin Perunë, pasi ish-presidenti përfundoi në burg

Një gjykatës ka vendosur që Presidenti i rrëzuar peruan, Pedro Castillo, të qëndrojë në paraburgim për 18 muaj, ndërkohë që protestat vdekjeprurëse vazhdojnë të tronditin vendin.

Prokurori suprem i Perusë, Alcides Chinchay, tha se Castillo përballet me të paktën 10 vjet burg për akuzat për rebelim.

Të paktën shtatë persona kanë vdekur dhe Ministria Peruane e Shëndetësisë raportoi se shumë të tjerë janë plagosur në demonstratat e dhunshme që shpërthyen pasi Castillo u shkarkua prej detyrës nga ligjvënësit më 7 dhjetor, pasi u përpoq të shpërndante Kongresin përpara një votimi të tretë të shkarkimit.

Castillo u akuzua për tentativë për grusht shteti, ku ish-Zv.presidentja Dina Boluarte denoncoi veprimet e tij përpara se të merrte rolin e tij, duke e bërë atë udhëheqësen e gjashtë peruane në po aq vite dhe Presidenten e parë femër.

Protestat kanë qenë veçanërisht të ashpra në rajonet e varfëra të Andeve që ishin baza e mbështetjes për Castillo, një ish-mësues shkolle, majtist.

Në pamundësi për të kontrolluar trazirat, qeveria shpalli një emergjencë kombëtare më 14 dhjetor, ndërsa Kongresi diskutonte një raund të ri zgjedhjesh për vitin 2024, një debat që nuk është pranuar mirë mes mbështetësve të Castillo.