‘Gomonia do ishte shpëtuar më shpejt nëse do të kishte shqiptarë në bord’

Vetëm pak orë pasi kryeministri britanik, Rishi Sunak, prezantoi planin me pesë pika për të luftuar emigracionin ilegal, një gomone me 50 persona në bord u fundos pranë brigjeve angleze.

Në zonë temperaturat ishin nën zero dhe kishte nisur të binte një dëborë e lehtë.

Sipas SKY NEWS, një nga personat në gomone telefonoi një organizatë bamirëse franceze dhe kërkoi ndihmë: Kemi fëmijë dhe familje në bord, tha ai.

Katër persona, mes tyre një adoleshent humbën jetën. Numri mund të dyfishohet, pasi mendohet se janë edhe katër persona të humbur.

Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme thanë për SKY NEWS se janë befasuar se pse gomonia nuk u pikas më shpejt.

Rrjeti televiziv britanik madje hedh dyshime se nëse në bord do kishte shqiptarë, gomonia do ishte pikasur më herët.

“Agjencitë e shërbimit sekret, MI5, GCHQ dhe Komanda e Forcave Kufitare janë përfshirë në operacione për të parandaluar kalimet duke përdorur dron, një avion spiun dhe duke gjurmuar telefonat celularë shqiptarë që përdoren në Francën veriore.

Mungesa e shumë shqiptarëve në bord mund të jetë arsyeja se pse varka e vogël iu shmang këtyre përpjekjeve. Raportet sugjerojnë se pasagjerët ishin kryesisht nga Afganistani, Iraku, India dhe Senegali”, raporton SKY NEWS.