'Si trajner ishte i zgjuar, por FIFA i ka bërë shpëlarje truri', tekniku i Norvegjisë kundër Wenger
“Kombëtaret të cilat u morën me politikë dhe nuk menduan për futbollin, nuk performuan mirë në fushë”. Ishte kjo deklarata e Shefit të Zhvillimit të Futbollit në FIFA, Arsene Wenger në lidhje me disa nga rezutatet surprizuese që prodhoi fusha e lojës në Botërorin e Katarit.
Një deklaratë e cila nuk është pritur aspak mirë nga ana e trajnerit të Norvegjisë, Stale Solbakken. Ky i fundit thekson se francezi ka qenë një nga trajnerët më të zgjuar, mirëpo tashmë që ka nisur punë në FIFA, duket sikur i kanë bërë “shpëlarje” truri.
“Të vjen keq kur sheh se një nga njerëzit më të zgjuar në rolin e trajnerit, Arsene Wenger, tashmë duket sikur i kanë bërë “shpëlarje” truri. Është autor i disa nga deklaratave më idiote. Në këtë moment duket sikur personazhet e futbollit po shkojnë drejt ekstremeve dhe kjo nuk është diçka e mirë”, u shpreh Solbakken.
Tekniku i kombëtares gjithnjë ishte kundër zhvillimit të Kupës së Botës në Katar për shkak se ky vend nuk respekton të drejtat e njerëzve dhe mbi të gjitha për shkak të vdekjes së një numri të lartë të punëtorëve që punon për ndërtimin e impianteve sportive pa kushtet minimale të sigurisë.