Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK/ Edi Rama i tregon 'dhëmbët' drejtësisë

Këtë të premte, Prokuroria e Posaçme do të bëhet me një kryetar të ri. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të votojë për të zgjedhur pasuesin e Arben Krajës për një mandat trevjeçar, mes tre emrave, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Para votimit, kreu në ikje i SPAK, Kraja, postoi një foto në llogarinë e tij në Twitter me të tre kandidatët. “Suksese kandidatëve për drejtues! SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet dhe me të lartë”, shkroi Kraja.

Për zgjedhjen e kreut të ri të institucionit të akuzës, të ngritur pas reformës në drejtësi për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, ka komentuar vazhdimisht ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Në daljen e fundit publike, dy ditë para votimit, Kim përsëriti thirrjen që procesi të mos ndikohet nga ata që kanë interes për të manipulojnë hetimet.

I akuzuari kryesor mbetet kryeministri Edi Rama, i cili reagoi duke thënë se kreun e SPAK nuk e zgjedh ambasada e SHBA.

Ndërkohë pas Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kryeministri Edi Rama kërcënoi dje edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pas një ankesë të drejtuar nga Shoqata e Ndërtueseve për shembjet selektive të vendosura nga qeveria.

Por kreu i qeverisë u bëri presion anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të bëjnë kujdes në momentin e vendimit. Rama shpërndau një reagim në rrjetet sociale, ku shkruan se pallatet do prishen ose do konfiskohen për interes publik, ndërsa paralajmëroi anëtarët e Kushtetuese për vendimin e tyre, duke shkruar se uron që ajo të “mos lajthisin”. “Shoqata e Ndërtuesve qenka ankuar në Gjykatën Kushtetuese pse po goditen rëndë pallatet me shkelje të lejeve të ndërtimit! Le të shkojnë edhe në Hagë ose në hënë po të duan, po pallatet me shkelje do prishen ose do konfiskohen për interes publik prandaj uroj që GJK të mos lajthisë!”, shkruan Rama.