SYRI TV/ Tonelata me qepë drejt kalbjes në Devoll, fermerët: Nuk ka treg, as me 15 lekë/kg
Tonelata me qepë po kalben në magazina në fshatin Miras të Devollit. Fermerët thonë se qepa nuk po shitet as me 15 lekë për kg, ndërsa për shkak të mungesës së tregut, sasi të mëdha qepe rrezikojnë të hidhen në kanal.
Nga SYRI TV
Këto pamje tregojnë sesi tonelata me qepë në fshatin Miras të Devollit, janë duke u kalbur, pasi po u kalon koha për shitje.
Qepët janë duke mbirë në magazina, ndërsa banorët thonë se këtë vit qepa nuk po shitet as me 15 lekë për kg.
Sipas banorëve stoku i qepëve në magazina është i madh, ndërsa tregtarët nuk afrohen për ta blerë.
Banorët e fshatit Miras në Devoll paralajmërojnë heqjen dorë nga bujqësia, pasi gjatë viteve të fundit po dalin me humbje për shkak të mungesës së mbështetjes nga shteti dhe shitjes me çmim në kosto të prodhimeve bujqësore.