Katargate: Hetim edhe në Greqi për ryshfet dhe pastrim parash për Eva Kailin
Ish- eurodeputetja Eva Kaili është në qendër të një hetimi penal dhe në Greqi, teksa prokuroria financiare nis hetimet për krimet e ryshfetit dhe pastrimit të parave.
Kushti është që eurodeputetja të mos ndiqet penalisht në Belgjikë për të njëjtat fakte.
Në fakt, në të njëjtat informacione thuhet se prokurori financiar u ka kërkuar dy kolegëve të tij që nëpërmjet ndihmës gjyqësore në bashkëpunim me anëtarin kombëtar të Eurojust -it për Greqinë, t'i kërkojnë autoriteteve belge, kopje të dosjes së deritanishme të ngritur ndaj eurodeputetes.
Dy prokurorët do të kërkojnë gjithashtu të informohen për ecurinë e deritanishme të hetimeve të autoriteteve belge.
Qëllimi i dy prokurorëve do të jetë konstatimi i kryerjes së mundshme nga zonja Kaili të veprave penale të dhënies së ryshfetit të një personi politik dhe pastrimit të parave nga veprimtaria kriminale, lidhur me nenin 57 pika 4 të Kodit Penal.
Dy prokurorët do të hetojnë gjithashtu nëse është kryer ndonjë vepër tjetër e ndjekur sipas detyrës zyrtare.
Kështu, pas këtij zhvillimi, prokuroria financiare në Greqi do të presë përgjigjet e autoriteteve belge, pasi kusht i domosdoshëm për fatin e hetimit penal në Greqi është që të mos ketë pasur procedim në Belgjikë për të njëjtat vepra ndaj Eva Kailit.