Një paqeruajtës irlandez i OKB vritet në një incident të rëndë në Liban

Një ushtar irlandez, paqeruajtës i OKB-së, është vrarë pas një "incidenti të rëndë" në Liban, njoftoi ministria e jashtme. Disa të tjerë u plagosën -  përfshirë tre ushtarë në gjendje të rëndë.

Zyrtarët ushtarakë irlandezë dhe libanezë thanë se sulmues të paidentifikuar kishin hapur zjarr ndaj një autokolone të martën mbrëma.

Forcat irlandeze të mbrojtjes thanë në një deklaratë se dy automjete të blinduara - që mbanin tetë trupa paqeruajtëse të Forcave të Përkohshme Irlandeze të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) - po shkonin drejt Bejrutit, pranë fshatit Al-Aqbiya.

UNIFIL konfirmoi gjithashtu se një paqeruajtës u vra dhe tre u plagosën.

"Mendimet tona janë gjithashtu me civilët vendas që mund të jenë lënduar ose frikësuar gjatë incidentit," tha zëdhënësi Andrea Tenenti, duke shtuar se "të dhënat janë të pakta dhe konfliktuale".

Një hetim ushtarak është duke u zhvilluar për të "përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur".

Micheál Martin, i cili kryeson qeverinë, shprehu ngushëllimet e tij në një deklaratë në Twitter.

“Është një kujtesë që paqeruajtësit tanë shërbejnë në rrethana të rrezikshme, në çdo kohë, për kauzën e paqes”, tha ai.

UNIFIL, i cili është vendosur në Liban që nga pushtimi i Izraelit në vitin 1978, përbëhet nga afro 10,000 ushtarë nga kontingjente të ndryshme.

Përleshje kanë ndodhur më parë midis patrullave të UNIFIL dhe mbështetësve pro-iranianë të Hezbollahut, të cilët e konsiderojnë praninë e paqeruajtësve në vend si një "shkelje të sovranitetit libanez".

Në janar, paqeruajtësit irlandezë të UNIFIL u sulmuan në qytetin jugor libanez të Bint Jbeil dhe ku automjetet e tyre u vandalizuan.

Banorët vendas i kishin akuzuar trupat se po fotografonin shtëpitë e banimit, megjithëse OKB-ja e mohoi këtë.