SYRI TV/ Përmbytet Shkodra, banorët akuzojnë KESH për shkarkimet

Reshjet e orëve të fundit kanë shtuar sipërfaqen e tokave të përmbytura në Shkodër.

Sipas emergjencave civile të bashkisë, në total janë mbi 2 mijë hektarë tokë bujqësore të përmbytura.

Zona më problematike është ajo e njësisë administrative Ana e Malit, ku sipas emergjencave civile uji ka përmbytur mbi 1100 ha tokë bujqësore, ndërsa uji, sipas banorëve, është prezent në oborret e më shumë se 50 banesave.

Rruga e Obotit është e përmbytur, ndërsa ujësjellësi i Oblikës është jashtë funksionit për shkak të përmbytjes.

Në Dajç rruga Daragjat-Shirq, është e pakalueshme. Banorët e fshatrave të Anës së Malit, kanë akuzuar drejtpërdrejt KESH për përmbytjet, pasi sipas tyre janë bërë shkarkime të pakontrolluara nga hidrocentralet.

Banorët gjithashtu tregojnë se në përmbytjet e dy javëve më parë, i kërkuan ministrit Niko Peleshi dhe ministres Elisa Spiropali, që qeveria të shlyejë dëmet e përmbytjeve të vitit 2018.

Por sipas banorëve, dy ministrat pretenduan se shteti ka bërë dëmshpërblim, gjë e cila nuk është e vërtetë, thanë këta banorë.