Largimi masiv i shqiptarëve/ CEO i PPC-së: Kjo qeveri po ua vret shpresën qytetarëve
CEO i PPC-së Erald Pashaj i ftuar në “Këndin e Pano Sokos” në Syri Tv deklaroi se fenomeni i ikjes së shqiptarëve nga vendi vjen si pasojë e vrasjes së shpresës. Pashaj u shpreh se kjo lloj qeverisje po ja detyron këtë zgjidhje qytetarëve shqiptarë pasi nuk shohin asnjë mundësi për të jetuar në Shqipëri.
"Arsyeja pse ne po vazhdojmë të largohemi është vrasja e shpresës. Vrasja e shpresës ka të bëjë me mënyrën sesi shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre , dhe nëqoftëse ai të ardhmen e tij nuk e sheh këtu, ajo pagë që ai merr nuk e përmbush, nuk e sheh që profesionalisht rritet, nuk e sheh që ka siguri atëherë ai është i mërzitur. Të gjitha këto shfaqen në largim. Largimi vjen nga pakënaqësia. Në parim universal njeriu kërkon të jetoj në vendin e tij në momentin që vendi është mirë. Pastaj në momentin kur vendi nuk është mirë atëherë ai fillon të kërkojë fatin diku tjetër. Dhe kjo gjë na ka ndodhur ne 30 vite. Këtu hynë dhe qeverisja, si administrohet ky vend? Po flasim për një largim të madh personash. Nuk është normale të ndodhë në këto përmasa. Masa është ajo që bën dallimin. Të gjithë e kemi dikë jashtë që na thotë ‘pse nuk vjen e provon këtej’? Ne jemi të rrethuar çdo ditë nga ky presion ndërkohë që fqinjët tanë nuk arrijnë ta bëjnë të gjithë këtë tërheqje. Ekonomia është e ulët dhe ai nuk sheh shpresë këtu. Një çift i ri për të pasur shtëpinë e tyre e kanë të pamundur, e kanë të pamundur për të jetuar më dinjitet e rrjedhimisht do i hedhin sytë diku tjetër. Duhet të ndryshohet e gjithë kjo llojë klime. Kjo gjë bëhet me një qeverisje të mirë dhe një bum ekonomik. Kur shikon më pas që në vendin tënd ka drejtësi do i frenojë qytetarët dhe do të kthehet fenomeni i rikthimeve"