Alarmi i FMN, Muço: Dita për të shpallur falimentin është afër! Jemi lavatriçe e pastrimit të parave

Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, komentoi në emisionin 'Task Force' alarmin e kuq nga FMN-ja dhe faktin që nga qeveria pranohet se PPP-të kanë dalë jashtë kontrollit. Klodian Muço tha se deklarata e FMN-së tregon që situata po del jashtë kontrollit.

Eksperti deklaroi se taksat e shqiptarëve shkojnë në drejtim të paditur dhe borxhi që po iu lënë fëmijëve po rritet dita ditës. Sipas Muços, nëse ecim me këto ritme, nuk do jetë e largët dita kur Shqipëria të shpallë falimentin.

"Rasti më i mirë është sektori i ndërtimit. Çmimet në Tiranë janë rritur 40 për qind vitin e fundit, pa asnjë logjikë ekonomike diçka po ndodh. Këto para, apo të gjitha deklaratat e shumta që Shqipëria po bëhet lavatriçe e pastrimit të parasë, amnistia që po diskutohet është thjesht se Shqipëria duhet domethënë dhe të ligjërohet si lavatriçe për pastrimin e parave, na solli në këtë rrugën që tashmë këta investitorët që deri në të kaluarën për ndërtimin e veprave strategjike kishim investitorë të huaj, sot investitorë strategjikë mund të jenë fqinjët tanë.

Një ditë të bukur Shqipëria do jetë një rast Meksike, Greqie apo Argjentine që ne të shpallim falimentin apo të jemi të paaftë për të shlyer këto borxhe. Ky rrezik është shumë i afërt nëse ecim me këto ritme, po japim gjithçka me koncesion, aeroportet, portet, rrugëve. Gjithçka po i falet privatit.”-tha Muço.