SYRI TV/ 'Dosja 184', dënohen 2 ish-zyrtarët e PS. Ministri Manja refuzon të komentojë vendimin

Gjykata e Dibrës ka dënuar me nga 2 vjet burg me kusht dy ish-zyrtarë lokalë në Dibër në kuadër të dosjes së njohur me emrin “184”, për blerjen dhe tjetërsimin e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale për bashkinë e këtij qyteti në vitin 2016.

Ish-Drejtori i Zyrës Arsimore Drini Gjeci dhe ish-Administratori i njësisë Tomin, Nuri Meda u dënuan po ashtu edhe me dy vjet heqje të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Gjykata me trupë gjykuese Edvan Veçanin dha vendim të njëjtë me kërkesën e lexuar në prill të këtij viti nga prokurori Urim Buci. Ndërkohë që edhe mbrojtja e të pandehurve kishte kërkesë të ngjashme si kryerja e punëve në komunitet apo pafajësinë.

Por çfarë ndodhi me dosjen 184? Përgjimet zbuluan zyrtarë të lartë të përfshirë në një nga proceset me të kompromentuara dhe kritikuara zgjedhore. Për 5 vite me radhë dosja u zvarrit mes Prokurorisë së Dibrës, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas SPAK-ut.

Ajo u dërgua në Gjykatën e Dibrës përfundimisht në fund të vitit 2020 vetëm për 4 të pandehur dhe në 12 shkurt të vitit pasardhës kjo gjykatë i hap dritën jeshile gjykimit. Dosja më pas u nda në dy pjesë, njëra me të pandehurit Gjeci dhe Nuri Meda, ndërkohë procesi tjetër ndaj Robert Agës, ish-komisar i Policisë së Dibrës dhe Hasan Hotit ish-administrator i Lurës i cili po zhvillohet në një gjyq normal, pavarësisht se nuk është arritur ende në fazën e pretencës.

Për të dyja proceset pati dhe vijon të këtë shtyrje të seancave duke përdorur argumentet nga më të ndryshmet. Përgjimet treguan manipulimin dhe blerjen e votës në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016 në favor të kandidatit të mbështetur nga Partia Socialiste.

Në përgjime dolën me zë e figurë ministra të kabinetit Rama, kryetar bashkie në radhët e PS-së por edhe Deputetë të Partisë Socialiste që jepnin direktiva, bënin shantazhe apo flisnin për manipulieme të votave.

Njëri prej tyre ishte  edhe Ulsi Manja, që sot mban postin e Ministrit të Drejtësisë. Këtë të mërkurë, pak kohë pas këtij vendimi, Syri Televizion e pyeti Manjën për këtë dosje dhe se a ishte i kënaqur me vendimin e drejtësisë, por ai pati këtë reagim.